Blog

Pse nisma e Tepelene është kaq e rëndësishme?

Kompania e njohur për cilësinë e lartë të ujit, Tepelene, ka ndërmarrë së fundmi nismën për të ndërruar një pjesë të mirë të makinave të veta me makina elektrike. Një hap ky i rëndësishëm jo vetëm sepse ndikon direkt tek ambienti, por sepse gjithashtu mund të ndikojë tek i gjithë ekosistemi shoqëror shqiptar. Në ç’mënyrë? Duke dhënë një shembull domethënës.

“Mënyra më e mirë për t’i dhënë rëndësi çështjes, është duke vepruar për çështjen që kompania kërkon të ndërgjegjësojë.”, u shpreh Z. Laurentiu Hutanu, drejtor i përgjithshëm i Tepelene në një intervistë për “Monitor”, “Ne po kontribuojmë në pakësimin e ndotjes duke e nisur me disa automjete elektrike. Po draftojmë praktika të cilat mund t’i ndjekin edhe kompanitë e tjera. Po inkurajojmë dhe edukojmë stafin tonë jo vetëm sesi t’i zhvillojnë por edhe për të mirat e këtyre projekteve. Të mira të cilat lidhen direkt me ta dhe me mirëqenien e familjeve të tyre.”

Z. Hutanu kujtoi se vetë kompania e drejtuar prej tij ndoqi hapat e CCBS, e cila vitin e kaluar i ktheu të gjitha makinat në elektrike. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që ka krijimi i një ekosistemi të qëndrueshëm brenda vetë kompanisë, si një formë ndërgjegjësimi gjithëpërfshirës.

“Të jesh pjesë e një kompanie me një vizion të qartë për qëndrueshmërinë me kalimin e kohës krijon edhe “qëndrimin” dhe angazhimin drejt çështjeve mjedisore.”

Kjo nismë e Uji i Ftohtë Tepelene është gjithashtu e rëndësishme pasi shënon fillimin e një angazhimi serioz për kompaninë, që do të pasohet nga vazhdimi i këtij projekti por edhe ndërmarrja e projekteve të reja të cilat kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë.

“Ky është fillimi, dhe ne synojmë të kontribuojmë akoma më shumë duke e zhvilluar më tej këtë projekt ose edhe projekte të tjera. Ne kemi një angazhim serioz për të punuar cilësisht, duke siguruar njëherësh një ambient të shëndetshëm ku punonjësit tanë, fëmijët tanë, qyteti ynë, të korrin frytet e këtyre investimeve.”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Uji i Ftohtë Tepelene.

Duket se Tepelene mund të ndjekë hapat e markave më të njohura në botë, si Coca- Cola, për të sjellë ujin ikonik të Ali Pashës me një shishe të riciklueshme. Në një kohë kur ndikimi që ne kemi tek ambienti është bërë më domethënës se kurrë, orientimi drejt qëndrueshmërisë nga kompani prestigjioze si Tepelene mund të jetë shtytja e duhur për kompanitë e tjera por edhe për qytetarët, që të fillojnë të veprojnë për cilësinë e ajrit si për ujin që pinë.

Suela Mania
Kompania e njohur për cilësinë e lartë të ujit, Tepelene, ka ndërmarrë së fundmi nismën për të ndërruar një pjesë të mirë të makinave të veta me makina elektrike. ...